Hamasi mohon raportimet se është i përgatitur të çarmatoset nën mbikëqyrje ndërkombëtare në përputhje me planin e paqes të Presidentit amerikan Donald Trump.
Anëtari i byrosë politike të Hamasit, Mahmoud al-Mardawi, tha se raportet ishin “të fabrikuara” dhe të pabaza, të cilat synonin |shtrembërimin e qëndrimit të lëvizjes dhe ngatërrimin e opinionit publik”.
“Çështja e çarmatosjes së Hamasit është një çështje palestineze që do të zgjidhet brenda një kuadri palestinez”, tha Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdel Ati, sipas gazetës Asharq al-Awsat.
Ndërkohë, sipas një njoftimi të Hamasit, një delegacion ka mbërritur tashmë në Egjipt për të negociuar kushtet e një armëpushimi. Bisedimet indirekte midis Izraelit dhe Hamasit pritet të fillojnë të hënën.
Më parë, një burim i Hamasit i tha Al Arabiya se grupi kishte filluar mbledhjen e eshtrave të pengjeve të vdekura izraelite për dorëzim të mundshëm.
Lëvizja, nëpërmjet ndërmjetësve egjiptianë, i bëri thirrje gjithashtu Izraelit që të ndalonte sulmet ajrore në Rripin e Gazës.
Presidenti amerikan Donald Trump, nga ana e tij, e konsideron të suksesshëm përparimin në zgjidhjen e konfliktit midis Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas, por u bën thirrje palëve të përshpejtojnë zbatimin e planit të tij.
“Këto negociata kanë qenë shumë të suksesshme dhe po ecin me shpejtësi. Ekipet teknike do të takohen përsëri të hënën në Egjipt për të përpunuar dhe finalizuar detajet. Jam informuar se faza e parë duhet të përfundojë këtë javë dhe u kërkoj të gjithëve ta përshpejtojnë këtë”, shkroi Trump në Truth.



