Dhoma e ulët e parlamentit italian ka miratuar përfundimisht një rishikim të thellë dhe të diskutueshëm të ligjit zgjedhor në vend.
Kryeministrja Giorgia Meloni e kishte kthyer këtë votim në një test jetik për koalicionin e saj të krahut të djathtë, duke paralajmëruar aleatët se një dështim i mundshëm do ta çonte qeverinë drejt një krize të menjëhershme.
Ndryshimi u miratua me votim të fshehtë në dhomën e ulët me 227 deputetë që votuan pro dhe 164 kundër.
Sipas theGuardian, pasi u shpall rezultati i votimit të fshehtë, politikanët e opozitës shpërthyen në protesta brenda sallës duke mbajtur pankarta që e kritikonin ligjin e ri.
Meloni argumenton se sistemi i ri proporcional, i cili përfshin vende bonus për çdo koalicion që fiton më shumë vota dhe arrin një prag prej 42% të votave, do të sjellë një stabilitet më të madh politik për Italinë.
Nga ana tjetër, opozita e majtë e udhëhequr nga Partia Demokratike deklaroi se ky element shtrembëron përfaqësimin e votuesve dhe i shërben vetëm interesave të atyre që janë në pushtet. Ata janë zotuar se do ta ankimojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese .
Një tjetër kërkesë e diskutueshme e ndryshimeve të miratuara detyron partitë dhe aleancat që të paraqesin programin e tyre qeverisës dhe të emërojnë zyrtarisht kandidatin për kryeministër shumë kohë përpara zgjedhjeve të përgjithshme.
Kjo fitore ligjore vjen në një moment delikat për Melonin, koalicioni i së cilës, i përbërë nga Vëllezërit e Italisë, Forza Italia dhe Lidhja ka pasur tensione të brendshme muajt e fundit, si dhe kërcënohet nga ngritja e një rivali të ri të ekstremit të djathtë, Roberto Vannacci, udhëheqës i lëvizjes Futuro Nazionale.
Megjithatë, kabineti i saj tregoi unitet, duke konfirmuar stabilitetin e qeverisë më jetëgjatë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meloni përshëndeti rezultatin:
"Sot ne përgjigjemi me veprime: jemi të bashkuar, kohezivë dhe të vendosur për të përmbushur angazhimet e bëra ndaj qytetarëve," shkroi kryeministrja italiane.
Udhëheqësja e Partisë Demokratike në opozitë, Elly Schlein, akuzoi aleancën qeverisëse se ndryshoi sistemin sepse ka frikë nga humbja në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, të cilat pritet të mbahen përpara tetorit 2027, por që mund të përpejtohen për në prill ose maj.
Ndonëse e majta mbetet e përçarë dhe pa një udhëheqës apo program të përbashkët, shpresat e tyre nuk janë shuar plotësisht.
Sipas një sondazhi të fundit nga Ipsos Doxa, koalicioni i opozitës mund ta arrinte pragun prej 42% të nevojshëm për të marrë bonusin e ulëseve, nëse arrin të tejkalojë ndarjet e brendshme dhe të bindë dy parti të vogla radikale që t'i bashkohen aleancës.



