Duke pritur pasagjerin. Nisja pas mbërritjes.
Banorët e Zagrebit tani mund të përshëndeten me këto fjalë, në vend të një “përshëndetje” tradicionale nga një shofer taksie.
Kryeqyteti kroat është bërë i pari në Evropë që autorizon funksionimin e taksive autonome.
Me një flotë prej 10 makinash të pajisura me zgjidhjen e drejtimit autonom të zhvilluar nga kompania kineze Pony.ai, Verne, një kompani kroate, lançoi shërbimin e saj të taksive autonome në fillim të prillit.
Pasi hyn brenda automjetit, pasagjeri shtyp një buton në një ekran. Makina është e pajisur me 14 kamera dhe nëntë lidarë, një sistem teledetektorësh me bazë lazeri dhe katër radarë, duke i lejuar asaj të perceptojë një distancë prej 650 metrash.
Ndërsa një shofer është ende i pranishëm në bord për momentin, Verne shpreson të arrijë autonomu të plotë deri në fund të vitit.
Që nga lançimi i shërbimit më 8 prill, afërsisht 300 persona kanë përdorur taksitë autonome, sipas shifrave të publikuara nga Verne.
Më shumë se 4,000 persona janë regjistruar në listën e pritjes që nga lançimi, deklaroi në një email drejtori ekzekutiv i Verne, Marko Pejkovic.
Aktualisht, ato mund të porositen nëpërmjet aplikacionit Verne, por së shpejti do të jenë të disponueshme edhe në Uber.
Udhëtimet tarifohen me një çmim fiks prej 1.99 eurosh për të lejuar sa më shumë njerëz të jetë e mundur të testojnë shërbimin dhe të japin reagime. Çmimi do të përshtatet me kalimin e kohës, tregoi Pejkovic.
Për momentin, shërbimi mbulon qendrën e qytetit, lagjen Novi Zagreb dhe aeroportin. Zgjerimi i zonës së shërbimit do të jetë "gradual, me çdo lagje të re që do të futet vetëm pas një validimi të detajuar dhe pasi sistemi të ketë provuar besueshmërinë e tij në kushte reale", sipas drejtorit ekzekutiv të Verne. Deri më tani, nuk është raportuar asnjë aksident.



