SHBA-të kanë kryer sulme ndaj objektivave iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, vetëm disa orë pasi negociatorët iranianë zhvilluan bisedime në Doha me ndërmjetësuesit e Katarit për arritjen e një marrëveshjeje mbi konfliktin dhe programin bërthamor të Teheranit.
Sipas zyrtarëve amerikanë, sulmet u ndërmorën si “veprime vetëmbrojtëse” dhe kishin në shënjestër vendet e lëshimit të raketave dhe anije iraniane në zonën strategjike të Gjirit Persik. Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.
Forcat amerikane dhe ato iraniane kanë shkëmbyer zjarr edhe më herët gjatë periudhës së armëpushimit, ndërsa mbetet e paqartë se si zhvillimet e fundit do të ndikojnë në negociatat diplomatike.
Deri tani, autoritetet iraniane nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj sulmeve, por mediat shtetërore në Iran i kanë cilësuar ato si “shkelje të armëpushimit” dhe një veprim që mund të rrisë tensionet në rajon.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se bisedimet për një marrëveshje me Iranin po hasin pengesa për shkak të mosmarrëveshjeve mbi formulimin e dokumentit final. Sipas tij, çështjet që lidhen me programin bërthamor iranian dhe heqjen e sanksioneve mbeten pikat më të debatueshme mes palëve.



