Zbërthimi i një bande që transportonte kokainë në vendet evropiane përmes Greqisë çoi në arrestimin e 5 personave, 2 prej të cilëve në shtetin helen dhe 3 në Gjermani.
Siç doli nga hetimet e zyrës së DEA-s amerikane në Athinë, autorët kishin krijuar një organizatë kriminale me shumë anëtarë, të strukturuar në mënyrë operative dhe vazhdimisht aktive, me role të dallueshme, me qëllim trafikimin e mëtejshëm të narkotikëve kryesisht në vendet evropiane dhe përfitimin e paligjshëm financiar.
Shumat që përvetësonin anëtarët e organizatës tejkalonin 5 milionë eurot për person.
Sa i përket mënyrës së veprimit, anëtarët e organizatës përdornin kamionë transporti ndërkombëtar, ose duke transportuar mallra të ligjshme për të mbuluar dhe legalizuar kalimin e tyre në Spanjë ose duke përdorur depo të dizenjuara posaçërisht në këto kamionë, me qëllim marrjen e sasive të drogës atje,.
Kamionët ishin kryesisht të regjistruar në Bullgari, në kompani me interesa greke, me shoferë me kombësi greke ose bullgare.
Dosja e çështjes përfshin edhe individë të tjerë, identiteti i të cilëve nuk është zbardhur. Nga hetimet e kryera u gjetën dhe sekuestruan 300 kilogramë kokainë,- një makinë private dhe shuma prej 38,980 eurosh.
Në një tjetër operacion të gjerë në Kretë policia greke vuri në pranga mbi 48 persona përfshirë oficerë aktivë policie dhe dy ushtarakë të dyshuar si të përfshirë në trafik droge, armësh dhe pastrim parash.
Trafikimi i drogës, trafikimi i armëve, zhvatja dhe pastrimi i parave kryheshin me pjesëmarrjen e policisë, ndërsa sipas informacioneve, sa herë që personeli ushtarak nuk kishte para për të blerë sasitë e drogës që dëshironte, zbulohej se ata vidhnin nga furnizimet me karburant të ushtrisë.



