Presidenti i amerikan, Donald Trump, i ka dhënë Iranit një afat të ri prej 48 orësh për të hapur Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Teherani e ka cilësuar deklaratën si “të pabalancuar dhe të pamend”.
Trump e ka përshkruar Iranin si të mundur dhe plotësisht të shkatërruar, por situata është tensionuar pas rrëzimit të dy avionëve amerikanë dhe thirrjeve iraniane për kapjen e “pilotit armik”.
“Dyert e ferrit do t’ju hapen”nëse infrastruktura iraniane sulmohet”, paralajmëroi gjenerali Ali Abdollahi Aliabadi, duke kërcënuar njëkohësisht objektivat amerikane në rajon.
Konflikti, që nisi më 28 shkurt me sulme të përbashkëta SHBA-Izrael, ka shkaktuar mijëra viktima, ka destabilizuar tregjet globale dhe ka ndikuar në rritjen e çmimeve të karburantit. Të dyja palët janë akuzuar për goditje ndaj objektivave civile.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi: “Ne do të vazhdojmë t’i shtypim ata”, duke konfirmuar një sulm ndaj një kompleksi petrokimik në Mahshahr, ku sipas mediave iraniane u vranë pesë persona dhe u plagosën 170 të tjerë.
Ndërkohë, një sulm ajror goditi pranë centralit bërthamor në Bushehr, duke shkaktuar një viktimë dhe dëmtime në infrastrukturë. Rusia njoftoi evakuimin e 198 punëtorëve nga objekti, i cili është sulmuar disa herë.
Përpjekjet diplomatike po vazhdojnë, ku Pakistani, Turqia dhe Egjipti ndërmjetësojnë për uljen e palëve në negociata. Një propozim për armëpushim synon hapjen e rrugës për zgjidhje diplomatike.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump rikujtoi afatin:
A e mbani mend kur i dhashë Iranit dhjetë ditë për të bërë një marrëveshje ose për të hapur Ngushticën e Hormuzit. Koha po mbaron, 48 orë para se i gjithë Ferri të mbretërojë mbi ta.



