Tre persona kanë humbur jetën tragjikisht të dielën në Gjermaninë veriore, pasi erërat e forta rrëzuan një pemë mbi një grup pjesëmarrësish gjatë një aktiviteti tradicional për Pashkë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 në një zonë pyjore pranë qytetit Satrupholm, ku rreth 50 persona, pjesë e një strukture rezidenciale për nëna të reja, gra shtatzëna dhe fëmijë po merrnin pjesë në një gjueti vezësh të Pashkëve.
Sipas policisë, një pemë rreth 30 metra e lartë u rrëzua papritur mbi grupin për shkak të kushteve të rënduara atmosferike. Katër persona mbetën të bllokuar nën trungun e saj.
Një grua 21-vjeçare dhe një vajzë 16-vjeçare humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një foshnjë 10-muajshe ndërroi jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra. Një tjetër e re, 18 vjeçe, u plagos rëndë dhe u transportua me helikopter drejt një spitali.
Autoritetet bëjnë me dije se zona ishte nën paralajmërim për erëra të forta nga shërbimi meteorologjik gjerman në momentin e ngjarjes. Në vendngjarje u angazhuan ekipe të shumta shpëtimi dhe këshilltarë psikologjikë për të ndihmuar të pranishmit.
Qendra rezidenciale, pjesë e sistemit shtetëror të mirëqenies së fëmijëve, ofron mbështetje për gratë shtatzëna dhe nënat e reja në nevojë.



