Google është urdhëruar të paguajë 425.7 milionë dollarë dëmshpërblim për gati 100 milionë përdorues për shkelje të privatësisë së tyre, sipas një vendimi të jurisë në një gjykatë federale në San Francisko.
Gjigandi i internetit u shpall fajtor për shkelje të privatësisë duke vazhduar të mbledhë të dhënat private të këtyre përdoruesve, edhe pse ata e kishin çaktivizuar një funksion gjurmimi në llogaritë e tyre të Google.
Vendimi vjen pasi një grup përdoruesish ngritën padinë duke pretenduar se Google ka aksesuar pajisjet mobile të përdoruesve për të mbledhur, ruajtur dhe përdorur të dhënat e tyre, në shkelje të garancive të privatësisë në cilësimet e Aktivitetit të Uebit dhe Aplikacioneve.
Ata kishin kërkuar më shumë se 31 miliardë dollarë dëmshpërblim.
“Ky vendim keqkupton mënyrën se si funksionojnë produktet tona dhe ne do ta apelojmë. Mjetet tona të privatësisë u japin njerëzve kontroll mbi të dhënat e tyre dhe kur ata çaktivizojnë personalizimin, ne e respektojmë këtë zgjedhje”, tha një zëdhënës i Google për BBC.
Gjykata në këtë rast e gjeti gjigantin e kërkimit në internet përgjegjës për dy nga tre pretendimet për shkelje të privatësisë, por tha se firma nuk kishte vepruar me keqdashje.
Padia kolektive, e cila mbulon rreth 98 milionë përdorues të Google dhe 174 milionë pajisje, u ngrit në korrik 2020.
Paditësit pretenduan se praktikat e mbledhjes së të dhënave të Google shtriheshin në qindra mijëra aplikacione për telefona inteligjentë, duke përfshirë ato për kompanitë e transportit Uber dhe Lyft, gjigantët e tregtisë elektronike Alibaba dhe Amazon, si dhe rrjetet sociale të Metës, Instagram dhe Facebook.
Google thotë se kur përdoruesit çaktivizojnë Aktivitetin e Uebit dhe Aplikacioneve në llogarinë e tyre, bizneset që përdorin Google Analytics mund të mbledhin ende të dhëna rreth përdorimit të faqeve dhe aplikacioneve nga ana e tyre, por ky informacion nuk identifikon përdoruesit individualë dhe respekton zgjedhjet e tyre të privatësisë.



