
Komisioni Evropian ka nisur një hetim zyrtar ndaj Google lidhur me mënyrën se si kompania përdor përmbajtjen e botuesve dhe videot e YouTube për të trajnuar dhe ofruar shërbimet e saj të inteligjencës artificiale (AI).
Lëvizja vjen në një moment tensioni të rritur mes Brukselit dhe Uashingtonit.
Sipas Euronews, hetimi u hap të martën, pak ditë pasi BE gjobiti platformën X të Elon Musk me 120 milionë euro për shkelje të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA). Reagimi i ashpër i Musk, i cili bëri thirrje për shpërbërjen e BE-së, e ka përshkallëzuar më tej konfliktin politik transatlantik.
Komisionerja e Konkurrencës së BE-së, Teresa Ribera, tha se Bashkimi Evropian mbështet inovacionin, por paralajmëroi se ky progres “nuk mund të vijë në kurriz të parimeve themelore të shoqërisë”.
“Ne po hetojmë nëse Google ka vendosur kushte të padrejta për botuesit dhe krijuesit e përmbajtjes, duke ndikuar negativisht te zhvilluesit rivalë të modeleve të AI,” deklaroi ajo.
Hetimi synon të zbulojë nëse Google ka përdorur përmbajtjen e botuesve online për t’i shfaqur në shërbimet e tij të AI brenda kërkimeve, pa kompensim të duhur, u ka mohuar botuesve mundësinë për të refuzuar përdorimin e përmbajtjes së tyre, ka përdorur videot e ngarkuara në YouTube për të trajnuar modelet e tij gjenerative të AI pa u dhënë krijuesve kompensim apo zgjedhje.
Shumë botues mbështeten rëndë te trafiku nga Google Search, duke ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm ekonomik.
Euronews raporton se që nga rikthimi i Donald Trump në pushtet në vitin 2025, SHBA ka akuzuar BE-në se po synon kompanitë amerikane me rregullat e saj digjitale. Ndërkohë, Brukseli këmbëngul se rregullat janë të njëjta për të gjithë dhe përfaqësojnë të drejtën sovrane të BE-së për të rregulluar tregun e saj.
Një zëdhënës i Google paralajmëroi se procesi “rrezikon të frenojë inovacionin në një treg që është më konkurrues se kurrë”.
“Evropianët meritojnë të përfitojnë nga teknologjitë më të fundit dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me industrinë e lajmeve dhe krijuesit e përmbajtjes ndërsa kalojmë në epokën e AI,” tha ai.



