Gjykata e Apelit në Paris ka lënë në fuqi dënimin ndaj lideres së së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, për keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Evropian, por ka ulur dënimin e saj, duke i hapur rrugën kandidimit në zgjedhjet presidenciale të prillit 2027.
Ndalimi pesëvjeçar për të mbajtur poste publike është reduktuar dhe konsiderohet i përfunduar që nga marsi i vitit 2025, çka i lejon Le Pen të garojë për presidencën.
Megjithatë, gjykata e ka dënuar atë me një vit arrest shtëpiak me mbikëqyrje elektronike, duke e detyruar të mbajë një byzylyk elektronik.
Le Pen ka deklaruar më herët se nuk do të kandidojë për presidente nëse duhet të mbajë byzylykun elektronik, pasi, sipas saj, nuk do të ndihej “plotësisht e lirë” për të zhvilluar fushatën elektorale.
Ajo pritet të njoftojë këtë mbrëmje nëse do të kandidojë apo do t’ia lërë garën politike pasardhësit të saj, Jordan Bardella, 30 vjeç.
Sipas sondazheve, Marine Le Pen kryeson aktualisht preferencat e votuesve, më pak se 10 muaj para zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2027.



