Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se shpërthimi aktual i virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos është më i madhi i regjistruar ndonjëherë në këtë vend, raporton BBC.
Sipas të dhënave të përditësuara deri më 30 korrik, janë konfirmuar 3.605 raste, ndërsa 1.587 persona kanë humbur jetën, duke e çuar shkallën e vdekshmërisë në rreth 44%.
Shpërthimi, i shpallur më 15 maj 2026, është shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit Ebola dhe ka tejkaluar epideminë e viteve 2018–2020, kur u regjistruan afro 3.500 raste dhe rreth 2.300 viktima.
Aktualisht nuk ekziston një vaksinë apo trajtim i miratuar për këtë variant të virusit, megjithëse vaksina eksperimentale janë në zhvillim në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Singapor.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, OBSH paralajmëroi se situata po përkeqësohet, me transmetim të vazhdueshëm të virusit dhe rritje të numrit të rasteve dhe viktimave.
Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 567 raste të reja dhe 296 vdekje, shifra që, sipas organizatës, tregojnë ritmin jashtëzakonisht të lartë të përhapjes së virusit.
OBSH thekson se pasiguria, zhvendosja e popullsisë dhe lëvizjet ndërkufitare po vështirësojnë ndjeshëm përpjekjet për kontrollin e epidemisë dhe rrisin rrezikun e përhapjes së saj në rajon.
Vatra kryesore e shpërthimit ndodhet në provincën Ituri, në verilindje të Republikës Demokratike të Kongos, pranë kufirit me Ugandën dhe Sudanin e Jugut.
Virusi është përhapur edhe në provincat Kivu Veriore dhe Kivu Jugore, zona që përballen me konflikte të armatosura dhe kontrollohen pjesërisht nga grupi rebel M23.
Raste të lidhura me shpërthimin janë raportuar edhe jashtë vendit.
Deri tani janë konfirmuar 20 raste në Ugandë dhe një rast në Francë, ndërsa dy pacientë të diagnostikuar në Republikën Demokratike të Kongos janë trajtuar më pas në Gjermani.
Ebola përhapet përmes kontaktit me lëngjet trupore të personave të infektuar dhe, gjatë pesë dekadave të fundit, ka shkaktuar mbi 15 mijë viktima në kontinentin afrikan.



