Incidente të dhunshme shpërthyen të shtunën në kryeqytetin meksikan, Meksiko Siti në sheshin Zocalo, në prag të një demonstrate kundër krimit dhe politikave të sigurisë së qeverisë, duke rezultuar në plagosjen e rreth 100 oficerëve të policisë dhe 20 protestuesve.
Mobilizime u organizuan në qytete të ndryshme të vendit nga “Lëvizja Sombrero”, e cila u themelua nga kryetari i bashkisë së Uruapan, Carlos Manzo, i vrarë së fundmi, i cili ishte i famshëm për luftën e tij kundër krimit të organizuar dhe nga organizatat rinore.
Ndërsa protestuesit mbërritën jashtë pallatit presidencial, disa persona me kapuç rrëzuan barrierat metalike që policia kishte vendosur rreth tij dhe sulmuan policinë me gurë. Forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për të shtyrë turmën.
Autoritetet kanë urdhëruar një hetim mbi një ankesë për brutalitet policor kundër një gazetari të gazetës La Jornada.
Shumë protestues mbanin kapele sombrero që të kujtonin ato që mbante veshur Carlos Manzo, kryetari i bashkisë së Uruapan në shtetin perëndimor të Michoacan, i cili u vra më 1 nëntor. Manzo u bë i njohur për fushatën e tij për të luftuar krimin.
Banderola me shkrimin “Ne të gjithë jemi Carlos Manso” u shfaqën pranë flamurit ikonik të piratëve nga seriali japonez “One Piece”, i cili është bërë simbol në protestat e të rinjve në të gjithë botën, nga Madagaskari në Filipine dhe Peru.
“Kjo është një nga qeveritë më të korruptuara që kemi pasur ndonjëherë”, tha Valentina Ramirez për AFP.
“Është një narkoqeveri e korruptuar që dëshiron të mbrojë të korruptuarit dhe kartelet në vend të popullit”, tha studenti që mori pjesë në demonstratë.
Ditë më parë, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum kritikoi thirrjet për pjesëmarrje masive në demonstrata, duke pretenduar se ato financohen nga qendra të huaja kundër qeverisë.
Presidentja Sheinbaum, e cila ka qenë në pushtet që nga 1 tetori 2024, ka ruajtur vlerësime të larta popullariteti mbi 70% në vitin e saj të parë në detyrë, por politika e saj e sigurisë është kritikuar rëndë për shkak të vrasjeve të zyrtarëve, veçanërisht në shtetin e Michoacan.



