Ish-zv.komandanti i Forcës Detare Artur Meçollari tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se pas shkeljes së hapësirës polake nga 19 dronë rusë, NATO mund të marrë vendim për forcimin e mbrojtjes ajrore të Polonisë dhe shteteve të Lindjes.
Sipas tij nuk kemi të bëjmë me një akt agresioni, por provokacion dhe cenim të sigurisë. Fakti që Moska s’ka kërkuar ndjesë, tregon se veprimi është i qëllimshëm dhe mund të përsëritet.
“Neni 4 parashikon konsultime midis palëve. Mbi bazën e nivelit të kërcënimit do merren masat. Ky nen është i krahasueshëm me nenin 39 të kartës së OKB. Pala e kërcënuar referon çështjen, por është Këshilli i Atlantikut të Veriut që merr vendimet. Aktivizimi i nenit ndodh vetëm kur një anëtarët e NATO-s është kërcënuar nga jashtë. Në këndvështrimin tim nuk kemi një akt agresioni, por jemi në kushtet kur është cenuar siguria e një vendi anëtar i NATO-s, nga një vend jo anëtar të NATO-s. NATO mund të marrë vendim për forcimin e krahut Lindor, që në rast përsëritje të kryeje veprime për eliminimin e kërcënimit. Neni 5 ka disa kritere të tjera. Një fluturim i droneve në mënyrë të qëllimshme, në numër të vogël....Që të aktivizohet neni 5 duhet të kryhet akt agresioni, që është goditje masive me dronë, raketa. Nuk kemi goditje masive, por një provokacion. Moska duhet të kërkonte ndjesë për dronet, por fakti që s’kërkon ndjesë, tregon se kemi veprim të qëllimshëm që mund të përsëritur. Këshilli i Atlantikut do forcojë mbrojtjen ajrore të Polonisë dhe vendeve të tjera të Lindjes”.



