
Administrata amerikane do të pezullojë nga data 21 janar të gjitha procedurat e lëshimit të vizave për shtetas nga 75 vende, mes të cilave është Shqipëria dhe Kosova.
Sipas një memoje të Departamentit të Shtetit, i siguruar fillimisht nga Fox News, oficerët konsullorë udhëzohen të refuzojnë vizat në bazë të ligjit ekzistues, ndërkohë që departamenti rishikon procedurat e shqyrtimit dhe verifikimit të aplikantëve. Mes vendeve të përfshira janë Rusia dhe Irani.
Pezullimi hyn në fuqi më 21 janar dhe do të vazhdojë për një afat të pacaktuar, derisa Departamenti i Shtetit të përfundojë rivlerësimin e procesit të përpunimit të vizave.
Vendimi i fundit është pjesë e një serie masash të gjera që ka si synim frenimin e emigracionit, politika që janë ndjekur nga Presidenti Donald Trump që prej marrjes së detyrës janarin e kaluar.
Në nëntor, Trump ishte zotuar të "ndërpriste përgjithmonë" migracionin nga të gjitha "vendet e Botës së Tretë" pas të shtënave pranë Shtëpisë së Bardhë nga një shtetas afgan që vrau një anëtar të Gardës Kombëtare.
Lista e plotë e vendeve përfshin:
Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguan, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kitsin dhe Nevisin, Shën Luçinë, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin.



