Nëntë murgj budistë humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën pasi u goditën nga një kamionçinë e drejtuar nga një djalë 11-vjeçar në provincën Mukdahan, në verilindje të Tajlandës. Grupi prej 35 murgjsh ishte në një procesion fetar kur ndodhi aksidenti.
Sipas policisë, fëmija kishte marrë automjetin e prindërve pa leje, humbi kontrollin dhe u përplas me procesionin. Pesë murgj vdiqën në vendngjarje, ndërsa katër të tjerë ndërruan jetë në spital. Tre të plagosur mbeten në gjendje kritike.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe kanë bërë të ditur se djali është nën kujdesin e institucioneve përkatëse.
Sipas informacioneve paraprake, ai është një fëmijë me nevoja të veçanta. Ndërkohë, spitali i Mukdahanit ka bërë thirrje urgjente për dhurim gjaku për të ndihmuar të plagosurit.



