Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se Irani është “serioz” për arritjen e një marrëveshjeje me Uashingtonin, por theksoi se çdo marrëveshje e mundshme duhet të garantojë që Teherani të mos zhvillojë armë bërthamore.
Në një intervistë për Fox News, Rubio u shpreh se Irani po përballet me vështirësi të theksuara ekonomike, përfshirë inflacionin e lartë, problemet me pagesën e pagave dhe ndikimin e sanksioneve ndërkombëtare.
“Mendoj se ata janë seriozë për të dalë nga rrëmuja në të cilën ndodhen”, tha ai, duke shtuar se situata ekonomike e vendit është përkeqësuar më tej.
Rubio theksoi se SHBA-të kërkojnë një marrëveshje që parandalon çdo përpjekje të Iranit për të arritur armë bërthamore në të ardhmen.
Ai gjithashtu komentoi tensionet mbi rrugët ujore ndërkombëtare, duke deklaruar se Uashingtoni nuk do të pranojë asnjë përpjekje për të kufizuar lirinë e lundrimit në ngushticat strategjike si ajo e Hormuzit.
Sipas tij, SHBA nuk mund të pranojë një sistem ku Irani vendos kush kalon në rrugët ujore ndërkombëtare apo vendos tarifa për përdorimin e tyre.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të larta mes dy vendeve, pas bisedimeve të zhvilluara në Islamabad më 11 prill, të cilat nuk prodhuan një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit të nisur më 28 shkurt. Situata është përkeqësuar më tej nga bllokimet në transportin detar dhe tensionet në rajon.



