Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po rikthen politikën e tij të tarifave të larta ndaj importeve, por me një numër të konsiderueshëm përjashtimesh që zbusin ndikimin e tyre në ekonominë amerikane.
Pavarësisht retorikës së ashpër dhe tarifave dyshifrore të shpallura nga Shtëpia e Bardhë, dokumentet zyrtare tregojnë se janë përjashtuar një sërë produktesh të konsumit, mallra industriale, eksporte të rëndësishme të vendeve partnere dhe produkte specifike që mund të sigurohen vetëm nga pak vende në botë.
Mes tyre përfshihen edhe primatët e gjallë të importuar nga Kamboxhia ose Ekuadori. Sipas analistëve, lista e përjashtimeve është më e gjerë se në paketat e mëparshme të tarifave të administratës Trump. Kjo tregon se, ndërsa administrata synon të përdorë tarifat si mjet presioni ekonomik, ajo përpiqet njëkohësisht të shmangë rritjen e pakënaqësisë së konsumatorëve amerikanë dhe hakmarrjen tregtare nga vendet e tjera.
Një ish-zyrtar amerikan i tregtisë, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se administrata po përpiqet të gjejë një ekuilibër mes objektivave politike të presidentit dhe nevojave reale të ekonomisë.
"Nuk mjafton vetëm të kënaqet presidenti. Duhet të punohet edhe me partnerët tregtarë dhe të merren vendime që kanë kuptim për ekonominë. Është një akt balancimi," u shpreh ai.
Sipas dokumentit të publikuar në Federal Register të enjten vonë, tarifat e reja që hynë në fuqi të premten për 60 partnerë tregtarë ruajnë përjashtimet e vendosura më herët, përfshirë importet nga Kanadaja dhe Meksika që janë në përputhje me marrëveshjen ekzistuese të tregtisë së lirë në Amerikën e Veriut.
Gjithashtu, mbeten në fuqi përjashtimet për produkte ushqimore dhe bujqësore, si kafeja dhe kokrrat e kakaos, pasi administrata amerikane pranon se këto produkte nuk mund të prodhohen në shkallë të mjaftueshme brenda Shteteve të Bashkuara.



