Macron: 26 shtete të gatshme të ofrojnë mbështetje ushtarake për Ukrainën pas luftës

Macron: 26 shtete të gatshme të ofrojnë mbështetje ushtarake për Ukrainën pas luftës

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten se 26 nga aleatët e Ukrainës janë zotuar të dërgojnë trupa si një “forcë sigurie” për vendin e shkatërruar nga lufta, sapo të përfundojnë luftimet në konfliktin me Rusinë.

Macron foli pas një takimi në Paris të të ashtuquajturit “koalicion i të vullnetshmëve”, një grup prej 35 vendesh që mbështesin Ukrainën. 

Ai tha se 26 nga shtetet ishin zotuar të vendosnin trupa në Ukrainë, ose të ruanin një prani në tokë, në det ose në ajër, për të ndihmuar në garantimin e sigurisë së vendit një ditë pas arritjes së një armëpushimi ose paqeje.

Më herët të enjten, Macron dhe udhëheqës të tjerë evropianë u takuan me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe të dërguarin e SHBA-së për bisedimet e paqes, Steve Witkoff, për të diskutuar mënyrat e sigurimit të mbështetjes ushtarake afatgjatë dhe vazhdimit të mbështetjes amerikane për Ukrainën pasi të përfundojë konflikti. 

Zelensky zhvilloi gjithashtu një takim me dyer të mbyllura me Witkoff.

Macron tha në një konferencë për mediat së bashku me Zelensky se forca e sigurisë nuk ka vullnetin ose objektivin për të zhvilluar luftë kundër Rusisë, por do të synojë “të parandalojë çdo agresion të ri të madh dhe të përfshijë 26 shtetet shumë qartë në sigurinë e qëndrueshme të Ukrainës”.

Edhe pse detajet e çdo pjesëmarrjeje të SHBA-së në garancitë e sigurisë mbeten të paqarta, si Macron ashtu edhe Zelensky thanë se Uashingtoni kishte shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e planit dhe presidenti ukrainas tha se ishte mirënjohës për këtë. 

“Sa i përket formatit, nuk jam ende gati t’ju tregoj në detaje”, shtoi Zelensky.

“Puna e planifikimit do të finalizohet me Shtetet e Bashkuara”, tha Macron.

Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer, të cilët udhëheqin “koalicionin e të vullnetshmëve”, kanë këmbëngulur se çdo forcë evropiane sigurie në Ukrainë ka nevojë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Udhëheqësit evropianë, disa prej të cilëve iu bashkuan takimit virtualisht, thanë se Presidenti rus Vladimir Putin duhet të punojë për t’i dhënë fund luftimeve, dhe qeveria gjermane sugjeroi që sanksionet evropiane ndaj Rusisë do të shtoheshin nëse Moska zvarritet. 

Udhëheqësit evropianë folën gjithashtu në telefon me Presidentin e SHBA-së Donald Trump pas takimit të tyre.

Zyra e Starmer tha se “Kryeministri britanik theksoi se grupi kishte një premtim të pathyeshëm ndaj Ukrainës, me mbështetjen e Presidentit Trump, dhe ishte e qartë se tani duhej të shkonin edhe më tej për të ushtruar presion mbi Putinin për të siguruar ndërprerje të armiqësive”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy