Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, shprehu skepticizëm të hënën në lidhje me propozimin e presidentit rus Vladimir Putin për të emëruar ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder si ndërmjetës në luftën në Ukrainë.
“Gerhard Schröder ka qenë një lobist i nivelit të lartë për ndërmarrjet shtetërore ruse, kështu që është e qartë pse Putini e dëshiron atë”, tha ajo nga Brukseli. “Nuk do të ishte shumë e mençur t’i jepnim Rusisë të drejtën për të emëruar një negociator në emrin tonë”, vazhdoi ajo. Kur u pyet të shtunën për kandidatin e tij të preferuar për të rifilluar dialogun me evropianët, Vladimir Putin u përgjigj se ai “personalisht” preferonte Gerhard Schröderin.
Në pushtet nga viti 1998 deri në vitin 2005, ky socialdemokrat 82-vjeçar ka mbetur një mbështetës i vendosur i udhëheqësit të Kremlinit për dy dekada.
Refuzimi i tij për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022 i solli atij kritika të ashpra brenda SPD-së, partnerit të vogël në koalicionin e Kancelarit Friedrich Merz.
"Para se të diskutojmë me Rusinë, duhet të diskutojmë mes nesh se për çfarë duam të flasim me ta ", deklaroi ajo.



