Konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është përshkallëzuar më tej, pasi Teherani ka reaguar ndaj sulmeve ajrore dhe raketore amerikane me sulme që kanë prekur edhe Kuvajtin dhe Bahreinin. Zhvillimet e fundit vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund krizës duket se kanë hyrë në ngërç.
Përplasjet u intensifikuan menjëherë pasi SHBA-ja ndërmori një valë të dytë sulmesh ajrore gjatë natës së të enjtes. Bahreini, ku ndodhet selia e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane, ishte ndër vendet e prekura nga tensionet e reja në rajon.
Sulmet amerikane u raportuan në disa qytete iraniane dhe ndodhën në një moment kur negociatat për uljen e tensioneve kanë ngecur.
Irani vazhdon të insistojë në ruajtjen e kontrollit të tij mbi Ngushticën e Hormuzit, ndërsa situata është ndërlikuar edhe nga zhvillimet në Liban, ku Izraeli ka kryer sulme ndaj Hezbollahut, aleat i Teheranit. Në fillim të javës, Irani dhe Izraeli shkëmbyen gjithashtu sulme të drejtpërdrejta.
Në valën e parë të përplasjeve, të mërkurën, Irani lëshoi raketa drejt objektivave në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani, ndërsa SHBA-ja iu përgjigj me sulme ajrore. Këto veprime erdhën pas një incidenti në Ngushticën e Hormuzit, ku u rrëzua një helikopter amerikan.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se raundi i fundit i operacioneve ajrore përfundoi pak para agimit të së enjtes. Sipas saj, objektivat e sulmuara përfshinin sisteme të mbikëqyrjes ushtarake, komunikimeve dhe mbrojtjes ajrore.
Operacionet u realizuan nga Forcat Ajrore, Marina dhe Trupat e Marinsave të SHBA-së, ndërsa deri më tani nuk janë bërë publike të dhëna të detajuara mbi dëmet e shkaktuara.



