Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, bëri të ditur të premten se ka marrë trajtim të suksesshëm për kancerin e prostatës në fazë të hershme, pa specifikuar kohën kur është kryer ndërhyrja.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, në të njëjtën ditë kur u publikua raporti i tij vjetor mjekësor, 76-vjeçari tha se tumori malinj në fazë të hershme ishte zbuluar gjatë një kontrolli rutinë. Sipas tij, një “trajtim i shënjestruar” ka eliminuar plotësisht problemin, pa lënë gjurmë.
Raporti mjekësor konfirmon se Netanyahu është trajtuar me terapi rrezatimi për kancerin e prostatës në fazë të hershme dhe, në përgjithësi, gëzon shëndet të mirë. Megjithatë, as raporti dhe as vetë kryeministri nuk saktësojnë se kur është kryer trajtimi.
Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë në historinë e Izraelit, tha se publikimin e raportit e kishte shtyrë me dy muaj për të shmangur, sipas tij, “propagandën e rreme kundër Izraelit” nga Irani.
Në muajin mars, gjatë përplasjeve me Iran, në rrjetet sociale dhe në mediat shtetërore iraniane qarkulluan zëra që pretendonin se Netanyahu kishte vdekur. Për t’i hedhur poshtë këto pretendime, lideri izraelit publikoi një video nga një kafene në Jerusalem.
Më herët, në vitin 2024, Netanyahu iu nënshtrua një operacioni në prostatë pas një infeksioni të traktit urinar të shkaktuar nga zmadhimi beninj i saj. Ndërsa në vitin 2023, atij iu vendos një stimulues kardiak. Zgjedhjet në Izrael pritet të mbahen deri në muajin tetor.



