Qeveria e Finlandës ka vendosur të shtrëngojë rregullat për imigracionin. Për këtë qëllim është propozuar zhvillimi i një testi së sipas Ministrisë së Brendshme, do të vlerësojë njohuritë e aplikantëve mbi funksionimin e shoqërisë finlandeze dhe parimet kryesore të saj. Ai do të zhvillohet në finlandisht ose suedisht dhe do të përfshijë tema si legjislacioni, të drejtat e njeriut, barazia, barazia gjinore, historia dhe kultura e vendit. Aplikantët mund ta përmbushin këtë kërkesë edhe përmes përfundimit të një provimi mature ose një diplome universitare në njërën nga gjuhët zyrtare.
Ministrja e Brendshme, Mari Rantanen, theksoi se shtetësia duhet të fitohet përmes integrimit.
Shtetësia nuk vjen automatikisht. Këto reforma synojnë të inkurajojnë integrimin, punësimin dhe respektimin e rregullave të shoqërisë finlandeze.
Ky propozim është pjesë e një reforme më të gjerë të ligjit për shtetësinë nga qeveria aktuale, e cila është në pushtet që nga viti 2023. Autoritetet kanë shtrënguar tashmë kriteret që lidhen me periudhën e qëndrimit, precedentët penalë dhe kërkesat financiare për aplikantët.
Ndërkohë, qeveria ka propozuar gjithashtu masa për përshpejtimin e procedurave të dëbimit dhe për vendosjen e ndalimeve paraprake të hyrjes për individët që konsiderohen rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur disa vende evropiane po rishikojnë politikat e tyre të imigracionit. Fqinji i saj, Suedia, ka propozuar më herët gjatë këtij viti një test të ngjashëm për shtetësinë, si pjesë e ndryshimeve të veta në këtë fushë.



