Skemë 4 miliardë dollarëshe/ Reuters zbulon rrjetin gjigant të bixhozit dhe kriptovalutave të lidhur me Iranin

Skemë 4 miliardë dollarëshe/ Reuters zbulon rrjetin gjigant të bixhozit dhe kriptovalutave të lidhur me Iranin

Një hetim i publikuar nga Reuters ka zbuluar një rrjet të gjerë të lojërave të fatit të paligjshme në gjuhën perse, i cili dyshohet se ka shërbyer si kanal për lëvizjen e miliarda dollarëve në kriptovaluta dhe shmangien e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit.

 

Sipas hetimit, në qendër të operacionit ndodhet Shelbit, një platformë e pa licencuar për shkëmbimin e kriptovalutave me seli në Dubai, e cila, vetëm që nga maji i vitit 2024, ka përpunuar të paktën 4 miliardë dollarë në asete digjitale.

 

Analiza e të dhënave të blockchain-it, e kryer nga kompani të specializuara dhe e verifikuar nga Reuters, tregon se dhjetëra miliona dollarë nga një rrjet me mbi 2,000 faqe interneti të bixhozit online kanë kaluar përmes Shelbit. 

 

Hetuesit e përshkruajnë këtë si rrjetin më të madh të bixhozit ilegal iranian të zbuluar ndonjëherë dhe një nga më të mëdhenjtë në botë. 

 

Sipas raportit, rrjeti promovohej nga dy influencues të njohur iranianë, Sasha Sobhani dhe Pooyan Mokhtari, të cilët më parë janë dënuar në Iran për aktivitete të lidhura me lojërat e fatit. 

 

Të dy kanë mohuar çdo lidhje me shtetin iranian, me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) apo me operacione të pastrimit të parave.

 

Hetimi ngre dyshime se platforma Shelbit ka kryer transaksione edhe me Bankën Qendrore të Iranit, bursën iraniane të kriptovalutave Nobitex, si dhe me portofole që autoritetet izraelite i lidhin me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC). 

 

Reuters thekson se nuk ka mundur të vërtetojë përfundimisht se IRGC kontrollonte drejtpërdrejt këtë rrjet apo se ku kanë përfunduar fondet.

 

Autoriteti Rregullator i Aseteve Virtuale të Dubait (VARA) konfirmoi se ka ndërmarrë masa ndaj Shelbit për operim pa licencë dhe për shkelje të rregullave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të aktiviteteve të saj.

 

Sipas Reuters, një pjesë e fondeve të përpunuara nga Shelbit kanë kaluar edhe përmes platformës Binance. Kompania deklaroi se Shelbit nuk ka pasur kurrë llogari të drejtpërdrejtë në bursë dhe se, kur janë identifikuar përdorues të lidhur me të, llogaritë janë ngrirë dhe rasti është raportuar tek autoritetet.

 

Hetimi bazohet në analizën e miliona transaksioneve në blockchain, dokumente gjyqësore dhe intervista me më shumë se 30 burime, përfshirë ish-zyrtarë iranianë, ekspertë të sigurisë kibernetike dhe persona të njohur me hetimet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

 

Reuters thekson se disa prej pretendimeve mbeten nën hetim dhe nuk janë konfirmuar nga autoritetet iraniane, të cilat nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy