
Analisti Ermir Gjinishi thotë se zgjedhja e Zoran Mamdanit në krye të Bashkisë së Nju Jorkut tronditi establishmentin politik amerikan. Në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, ai tha se fitorja e tij provoi se elitat politike janë shumë larg parimeve mbi të cilat u krijuan.
Mandani është një djalë i ri i angazhuar në jetën civile. Është personazh i njohur, me dy prindër që kanë mbaruar Harvardin. Në Nju Jork fliteshin 12 gjuhë të huaja që para dy shekujsh. Është simbol i multikulturalizmit. Ajo që bëri Mamdani është se tronditi të gjitha lobingjet. Tronditi mediat që e nxirrnin humbës. Në SHBA, mediat janë parë si habitat ku liria gjen veten e saj. Por edhe atje janë kthyer në mjet propagande. Ai e goditi atë. Goditi kastën e oligarkëve. Dominoi rivalët. Mamdani solli një model tjetër, modelin e njerëzve te njerëzit. Ndërhyrja e Trump disa herë gjatë fushatës nuk ishte aq e thjeshtë. 40% e hebrenjve e votuan këtë njeri. Po bie jo vetëm establishmenti, por edhe tezat e tij. Kur u pyet çfarë do të bësh nëse Netanjahu viziton Nju-Jorkun, tha do ta arrestoj. I dha një goditje lëvizjeve sioniste-protestante dhe sioniste-hebreje. Përmbysja më e madhe është kjo: elitat politike janë shumë larg parimeve mbi të cilat janë krijuar. Kjo është përmbysje e të gjithë establishmentit.



