Ukraina godet depot e Wildberries në Rusi, tetë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Ukraina godet depot e Wildberries në Rusi, tetë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Të paktën tetë persona humbën jetën dhe 62 të tjerë u plagosën pasi dronë ukrainas goditën dy depo të kompanisë Wildberries, platforma më e madhe e tregtisë online në Rusi, sipas autoriteteve ruse, njofton BBC.

 

Shtatë viktima dhe 25 të plagosur u raportuan në një depo në qytetin Tambov, rreth 475 kilometra në juglindje të Moskës. Një tjetër person humbi jetën dhe 37 u plagosën në një depo të dytë në Elektrostal, në rajonin e Moskës.

 

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se sulmet kishin në shënjestër "objekte të mëdha logjistike" që, sipas tij, përdoreshin për furnizimin me komponentë të sanksionuar për prodhimin e dronëve dhe pajisjeve të navigimit.

 

Ai shtoi se forcat ukrainase goditën gjithashtu objektiva në Detin e Azovit, Detin e Zi dhe në Krimenë e aneksuar nga Rusia.

 

Pamje të publikuara në rrjetet sociale, të cilat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, tregojnë flakë të mëdha dhe shtëllunga tymi që ngrihen nga një prej depove, ndërsa punonjësit largohen me nxitim nga zona.

 

 

Zelensky tha se operacionet ishin përgjigje ndaj sulmeve ruse kundër infrastrukturës civile ukrainase. Sipas autoriteteve ukrainase, gjatë natës së mëparshme 14 persona u vranë nga bombardimet ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës.

 

Wildberries konsiderohet shpesh si ekuivalenti rus i Amazon. Kompania, e bashkuar me grupin e reklamave Russ në holdingun RWB, vlerësohet nga ‘Forbes Russia’ me rreth 12.6 miliardë dollarë.

 

Drejtoresha ekzekutive e Wildberries, Tatyana Kim, e cilësoi ngjarjen si "një natë të tmerrshme" për kompaninë dhe Rusinë.

 

Guvernatori i rajonit të Tambovit, Evgeniy Pervyshov, tha se gjatë natës u rrëzuan 28 dronë dhe se shumica e të plagosurve pësuan lëndime nga copëzat e shpërthimeve. Sipas tij, ky ishte sulmi më i madh ndaj rajonit për nga numri i dronëve dhe viktimave.

 

Ndërkohë, guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, bëri të ditur se tetë nga të plagosurit në Elektrostal ndodhen në gjendje të rëndë. Ai shtoi se gjatë natës u rrëzuan 48 dronë mbi rajonin e Moskës dhe se një depo nafte u godit nga mbetjet e një droni të rrëzuar, duke e cilësuar këtë incident si më seriozin për sa i përket pasojave materiale.

 

Presidenti Zelensky konfirmoi gjithashtu se Ukraina kishte goditur një objekt të infrastrukturës së naftës.

 

Kohët e fundit, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke argumentuar se objektet e naftës dhe gazit përbëjnë objektiva legjitime ushtarake, pasi të ardhurat nga eksporti i hidrokarbureve financojnë luftën e Rusisë në Ukrainë.

 

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar së fundmi se sulmet ukrainase kanë ndikuar në furnizimin me karburant, ndërsa qeveria ruse ka miratuar masa për të rritur furnizimet në tregun vendas.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy