
TikTok ka njoftuar se nuk do të prezantojë enkriptimin nga fillimi në fund (E2EE) për mesazhet direkte, një veçori privatësie e përdorur nga shumica e rivalëve të saj si Facebook, Instagram, X dhe Snapchat.
Sipas kompanisë, E2EE do ta bënte më të vështirë për forcat e rendit dhe ekipet e sigurisë të hetonin raste abuzimi apo përmbajtjeje të dëmshme, duke rrezikuar sidomos përdoruesit e rinj.
TikTok thekson se mesazhet direkte mbrohen me enkriptim standard dhe mund të aksesohen vetëm nga staf i autorizuar në raste të veçanta, si kërkesa ligjore ose raportime për shkelje.
Vendimi vjen në një kohë kur platforma, në pronësi të gjigantit kinez ByteDance, përballet me shqyrtim të vazhdueshëm mbi mbrojtjen e të dhënave dhe lidhjet e saj me Kinën.
Organizata britanike për mbrojtjen e fëmijëve NSPCC dhe Internet Ëatch Foundation e mirëpritën vendimin, duke argumentuar se enkriptimi i plotë mund të pengojë zbulimin e abuzimit online.
Ekspertët e privatësisë, megjithatë, paralajmërojnë se shmangia nga E2EE mund ta vendosë TikTok-un jashtë standardeve globale të privatësisë dhe të shtojë dyshimet mbi qasjen e saj ndaj mbrojtjes së të dhënave.



