Parlamenti i Gjermanisë po ndërmerr një hap të pazakontë për të frenuar rritjen e çmimeve të karburantit, në një kohë kur tregjet janë tronditur nga tensionet dhe lufta me Iranin.
Sipas një projektligji që pritet të miratohet sot në Bundestag, stacionet e karburantit do të lejohen të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë, konkretisht në orën 12:00 të mesditës. Ulja e çmimeve do të jetë e lirë në çdo moment, ndërsa bizneset që shkelin rregullin rrezikojnë gjoba deri në 100 mijë euro.
Masa vjen pasi Gjermania ka qenë ndër vendet e BE-së me rritjen më të lartë të çmimeve të karburantit. Krahasuar me periudhën para përshkallëzimit të konfliktit SHBA-Izrael, çmimet janë rritur me 27 cent për litër për benzinën dhe 42 cent për naftën, duke tejkaluar mesataren e Bashkimit Europian.
Autoritetet gjermane e lidhin këtë rritje të shpejtë me përqendrimin e lartë të tregut dhe dyshimet për spekulim nga industria. Zyrtarë të lartë kanë theksuar se problemi nuk lidhet me furnizimin, por me çmimet e vendosura në treg.
Projektligji parashikon gjithashtu fuqizimin e Zyrës Federale të Karteleve për të luftuar abuzimet dhe rritjet e pajustifikuara të çmimeve.
Megjithatë, iniciativa ka ngjallur debate. Përfaqësues të industrisë paralajmërojnë se ndryshimet e shpejta në ligjin e konkurrencës mund të krijojnë pasiguri për bizneset dhe të dëmtojnë investimet.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi në fillim të prillit, pas miratimit edhe nga Bundesrati, dhe do të zbatohet për të paktën një vit. Në sfond mbetet presioni politik, pasi çmimet e larta të karburantit dhe frika nga inflacioni janë kthyer në çështje kyçe për votuesit në prag të zgjedhjeve rajonale.



