Gjashtëmbëdhjetë fëmijë, të moshës nga 18 muaj deri në 18 vjeç, u shpëtuan nga autoritetet në Ohio pasi u gjetën duke jetuar në kushte ekstreme brenda një shtëpie të rrënuar në zonën rurale të Hamdenit.
Sipas autoriteteve, fëmijët jetonin të izoluar në një dhomë të vetme, mes mbeturinave dhe jashtëqitjeve njerëzore. Disa nuk ishin në gjendje të flisnin, ndërsa një 18-vjeçare me aftësi të kufizuara nuk dinte as të shkruante emrin e saj.
Prindërit dhe dy gjyshërit u arrestuan dhe u akuzuan secili për 16 vepra penale që lidhen me rrezikimin e fëmijëve. Hetuesit thanë se fëmijët nuk ishin të regjistruar në shkollë dhe familja kishte shmangur kontaktet me institucionet.
Shtatë fëmijë u dërguan në spital, ndërsa dy prej tyre u transportuan me helikopter për trajtim të specializuar. Autoritetet e cilësuan skenën si një nga më të rëndat që kanë hasur ndonjëherë dhe kanë kërkuar kujdestarinë e përkohshme të të gjithë fëmijëve.



