Pesë skiatorë jashtë pistës kanë humbur jetën si pasojë e dy ortekëve të ndodhur në Alpet e Austrisë, pas reshjeve të dendura të dëborës që kanë përfshirë rajonin ditët e fundit, njofton BBC.
Sipas autoriteteve lokale të shpëtimit malor, një ortek goditi një grup prej shtatë skiatorësh në zonën Pongau, pranë Salzburgut, duke shkaktuar vdekjen e katër personave dhe plagosjen e rëndë të një tjetri. Ngjarja ndodhi të shtunën, rreth orës 14:00 sipas orës lokale.
Një ortek tjetër, i regjistruar më herët gjatë së njëjtës ditë në të njëjtën zonë, rrëmbeu një skiator të vetëm, i cili humbi jetën.
“Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjet e viktimave. Kjo tragjedi tregon qartë se sa serioze dhe e rrezikshme është situata aktuale e ortekëve”, deklaroi Gerhard Kremser, kreu i shërbimit të shpëtimit malor të distriktit Pongau.
Shërbimet e emergjencës raportuan gjithashtu disa ortekë të tjerë në rajon rreth mesditës, por fatmirësisht pa viktima.
Kushtet e rrezikshme në Alpe kanë shkaktuar një sërë incidentesh fatale gjatë javës së fundit.
Të martën, një djalë 13-vjeçar nga Çekia humbi jetën në një ortek në vendpushimin Bad Gastein.
Të dielën e kaluar, një skiator 58-vjeçar vdiq në një tjetër ortek në Weerberg, në Austrinë perëndimore.
Ngjarje tragjike janë shënuar edhe në vendet fqinje. Në Zvicër, një shtetas gjerman humbi jetën dhe katër persona të tjerë u plagosën nga një ortek gjatë skive jashtë pistës, ndërsa fundjavën e kaluar në Francë, gjashtë skiatorë humbën jetën në incidente të ngjashme në vendpushime alpine.



