Në një ceremoni të mbushur me simbolikë dhe pompozitet shtetëror, presidenti kinez Xi Jinping priti homologun rus Vladimir Putin në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, duke riafirmuar afrimin strategjik mes dy fuqive në një moment tensionesh globale dhe rivaliteti në rritje me Perëndimin.
Nën tingujt e himneve kombëtare dhe mes ushtarëve ceremonialë të rreshtuar në qendër të Pekinit, dy liderët nisën një seri takimesh të nivelit të lartë, fillimisht në një format të ngushtë për çështje sensitive, e më pas me delegacionet e plota.
Gjatë fjalës hapëse, Xi paralajmëroi për rrezikun që bota të rikthehet te “ligji i xhunglës”, duke theksuar se Kina dhe Rusia duhet të mbështesin njëra-tjetrën në zhvillimin dhe “rigjallërimin kombëtar”.
Nga ana tjetër, Putin e cilësoi partneritetin me Pekinin si “në një nivel të paprecedentë”, ndërsa premtoi se Moska do të mbetet një furnizues i besueshëm energjie mes krizës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
Takimi zhvillohet në një kohë kur ekonomia ruse po përballet me barrën e sanksioneve dhe kostot në rritje të luftës në Ukrainë, ndërsa Kina po lëviz me kujdes mes interesave tregtare globale dhe aleancës strategjike me Kremlinin.
Paralelisht, Pekini konfirmoi blerjen e 200 avionëve Boeing dhe synimin për të zgjatur marrëveshjen tregtare me SHBA-në, duke sinjalizuar përpjekjet e Xi-së për të balancuar raportet me Uashingtonin dhe Moskën.
Vizita e Putinit shihet si një test diplomatik për Xi Jinping pas takimit të tij me Trump, ndërsa çdo detaj –nga protokolli deri te gjuha e trupit – po analizohet si tregues i prioriteteve të reja gjeopolitike të Kinë



