Çmimi i arit ka kaluar për herë të parë pragun e 5,000 dollarëve për ons, duke shënuar një rekord historik në tregjet ndërkombëtare.
Rritja e fortë po nxitet nga pasiguria globale, e lidhur me ndryshimet në politikën ndërkombëtare të SHBA-së nën Donald Trump, si dhe nga largimi i investitorëve nga obligacionet sovrane dhe monedhat tradicionale.
Ari u rrit deri në 2.1%, duke iu afruar nivelit të 5,100 dollarëve për ons, ndërsa dobësia e dollarit amerikan përforcoi më tej kërkesën.
Një indeks i dollarit ka rënë me pothuajse 2% gjatë gjashtë seancave të fundit, mes spekulimeve se SHBA-të mund të ndërhyjnë për të ndihmuar Japoninë në forcimin e jenit.
Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet mbi pavarësinë e Rezervës Federale dhe politikëbërjen e paqëndrueshme të administratës Trump.
Ndërkohë, edhe argjendi shënoi rritje, duke arritur një rekord të ri mbi 109 dollarë për ons dhe duke u rritur për të tretën ditë radhazi.
Kjo vjen në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe NATO-s mbi Groenlandën, së bashku me politikat tregtare të Presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë kërcënimin për tarifa 100% ndaj Kanadasë nëse lidh një marrëveshje me Kinën, kanë shtuar shqetësimet për pasigurinë financiare dhe gjeopolitike.
Ari dhe metalet e tjera të çmuara, si argjendi që arriti 100 dollarë për ons për herë të parë, shihen si asete “strehë e sigurt” nga investitorët në kohë pasigurie.
1 ons është baras me 31.1035 gramë ar.



