NHS England do të nisë vitin e ardhshëm një iniciativë të re për të nxitur aktivitetin fizik, duke ofruar shpërblime për qytetarët që ecin rregullisht.
Në kuadër të sfidës "Maratona në një muaj", pjesëmarrësit do të inkurajohen të ecin rreth 30 minuta çdo ditë. Me këtë ritëm, ata do të përshkojnë afërsisht 42 kilometra në muaj, sa distanca e një maratone.
Ecjet do të regjistrohen përmes telefonave ose orëve inteligjente, ndërsa ata që e përfundojnë sfidën do të kenë të drejtë të përfitojnë stimuj dhe zbritje të ndryshme. Detajet e plota të shpërblimeve do të publikohen në muajt e ardhshëm.
Iniciativa është zhvilluar në bashkëpunim me ish-medalistin olimpik Sir Brendan Foster, themelues i garës "Great North Run", i cili thotë se objektivi është i thjeshtë: të nxisë sa më shumë njerëz të ecin çdo ditë.
Sipas tij, ecja për të paktën 30 minuta, pesë ditë në javë, mund t'u shtojë njerëzve deri në katër vite jetë të shëndetshme.
Programi është pjesë e planit 10-vjeçar të NHS për përmirësimin e shëndetit publik në Angli. Sipas të dhënave të NHS England, mungesa e aktivitetit fizik lidhet me një në gjashtë vdekje, ndërsa rreth 12 milionë të rritur në Angli konsiderohen fizikisht joaktivë.
Organizatorët synojnë të regjistrojnë mbi 100 mijë pjesëmarrës. Nëse ky objektiv arrihet, sfida do të konsiderohet "maratona" më e madhe e organizuar ndonjëherë.
Ekspertët e shëndetit e kanë mirëpritur nismën, duke vlerësuar se shpërblimet mund të motivojnë më shumë njerëz të krijojnë zakone të shëndetshme. Megjithatë, ata theksojnë se iniciativa duhet të shoqërohet edhe me politika më të gjera parandaluese për përmirësimin e shëndetit të popullsisë.



