Ish-kryeministri grek Alexis Tsipras ka njoftuar rikthimin e tij në politikë me krijimin e një partie të re, e cila pritet të prezantohet zyrtarisht më 26 maj, përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara vitin e ardhshëm në Greqi.
51-vjeçari publikoi të hënën një video në Facebook, ku shfaqeshin dy djem në tribunat e një stadiumi futbolli me fanella që mbanin numrat 26 dhe 5.
“Tani është momenti”, shkroi ai, pa zbuluar ende emrin e forcës së re politike.
Alexis Tsipras u bë kryeministër në kulmin e krizës financiare greke në janar të vitit 2015, pasi partia e tij e majtë radikale, Syriza, fitoi zgjedhjet parlamentare.
Ai mori pushtetin me premtimin për t’i dhënë fund masave shtrënguese ekonomike, por më pas u detyrua të vazhdonte politikat e kursimit nën presionin e kreditorëve ndërkombëtarë.
Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2019 ndaj rivalit të tij, kryeministrit aktual Kyriakos Mitsotakis dhe partisë së djathtë Neë Democracy, Tsipras u largua nga pushteti.
Një tjetër humbje e thellë në vitin 2023, me diferencë prej 20 pikësh ndaj konservatorëve, e çoi atë në dorëheqjen nga drejtimi i Syriza-s, ndërsa mbeti deputet në Parlamentin grek.



