Bangladeshi ka nisur një fushatë urgjente vaksinimi pasi një shpërthim i fruthit ka shkaktuar vdekjen e mbi 100 fëmijëve që nga 15 marsi.
Shpërthimi, që përfshin më shumë se 7,500 raste të dyshuara dhe mbi 900 të konfirmuara, shënon një rritje dramatike krahasuar me vitin 2025, kur gjatë gjithë vitit u regjistruan vetëm 125 raste.
Shkak i rritjes së rasteve janë boshllëqet në programin e vaksinimit, për shkak të ndërprerjeve gjatë pandemisë dhe trazirave politike të vitit 2024. Një e treta e të infektuarve janë foshnja nën nëntë muajsh, që ende nuk janë të imunizuar sipas skemës rutinë.
Fushata emergjente, e nisur në bashkëpunim me UNICEF dhe OBSH, synon të vaksinojë mbi 1.2 milion fëmijë midis gjashtë muajsh dhe pesë vjeç, duke përfshirë kryeqytetin Daka dhe kampet e refugjatëve Rohingya në Cox’s Bazar.
Autoritetet gjithashtu po publikojnë materiale informuese për parandalimin dhe njohjen e simptomave të fruthit, një sëmundjeje shumë ngjitëse që mund të shkaktojë komplikacione të rënda dhe vdekje.
Rastet e fruthit kanë rënë globalisht gjatë dy dekadave të fundit, por OBSH paralajmëron për një rigjallërim të shpërthimeve për shkak të normave të ulëta të vaksinimit dhe skepticizmit ndaj vaksinave në disa vende.



