Franca ka raportuar shpërthime të reja të gripit të shpendëve në dy ferma në jugperëndim të vendit, njoftoi Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve, vetëm pak ditë pasi autoritetet kishin lehtësuar kufizimet ndaj kësaj sëmundjeje, transmeton reuters.com.
Rishfaqja e virusit H5N1 ka rikthyer shqetësimet globale, pasi vitet e fundit përhapja e gripit të shpendëve shumë patogjen ka çuar në asgjësimin e tufave, ndërprerje të furnizimeve dhe rritje të çmimeve të ushqimeve, si dhe ka shtuar frikën për transmetim të mundshëm tek njerëzit.
Sipas raportit, virusi u zbulua te pulat dhe rosat e vaksinuara, duke shkaktuar ngordhjen e 270 zogjve nga një total prej 5,062.
Autoritetet ndërhynë menjëherë duke eliminuar edhe shpendët e mbetur si masë parandaluese.
Vetëm javën e kaluar, Franca kishte ulur nivelin e rrezikut nga gripi i shpendëve, duke vlerësuar një përmirësim të situatës mes fermave dhe shpendëve të egër.
Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se rreziku mbetet i pranishëm.
Franca ka qenë ndër vendet më të prekura nga kjo sëmundje dhe që prej vitit 2023 ka nisur vaksinimin e rosave.
Ekspertët theksojnë se vaksina ndihmon në uljen e përhapjes, por nuk e parandalon plotësisht infektimin.
Gripi i shpendëve është një sëmundje sezonale që zakonisht shfaqet në vjeshtë, i lidhur me migrimin e shpendëve, dhe priret të zbehet në pranverë.



