Një deklaratë e presidentit amerikan Donald Trump ka shkaktuar polemika në Itali, pasi ai pretendon se kryeministrja italiane Giorgia Meloni i ka kërkuar me ngulm të bënin një foto së bashku gjatë samitit të G7 në Francë.
Gjatë një interviste telefonike për televizionin italian La7, Trump foli për takimin me Melonin në samitin e G7 në Evian.
I pyetur për bisedën me kryeministren italiane, presidenti amerikan u shpreh me tone ironike, duke thënë se ajo ishte “e lumtur që ai kishte pranuar të fliste me të”.
Trump shkoi më tej duke deklaruar se Meloni “i ishte lutur për të bërë një foto” dhe se ajo e dëshironte aq shumë atë fotografi, saqë ai kishte pranuar vetëm nga keqardhja.
Deklaratat e tij u kundërshtuan menjëherë nga kryeministrja italiane, e cila publikoi një video në rrjetet sociale duke i cilësuar ato si tërësisht të sajuara.
“Deklaratat e Donald Trump janë plotësisht të shpikura. Jam sinqerisht e habitur. Unë dhe Italia nuk lutemi kurrë”, deklaroi Meloni.
Ajo shtoi se nuk e kupton pse presidenti amerikan sillet në këtë mënyrë me aleatët e Shteteve të Bashkuara, duke nënvizuar se do të dëshironte të shihte të njëjtën vendosmëri edhe ndaj kundërshtarëve të Perëndimit.



