Një sulm iranian goditi këtë mëngjes një impiant të desalinimit të energjisë dhe ujit në Kuvajt, duke shkaktuar dëme materiale në disa pjesë të objektit.
Ministria e Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Rinovueshme konfirmoi se ekipet emergjente dhe teknike ndodhen në terren për të stabilizuar situatën dhe për të siguruar vazhdimësinë e operacioneve.
Sulmi vjen në kuadër të përshkallëzimit të tensioneve në rajon që prej shpërthimit të konfliktit më 28 shkurt.
Më herët gjatë ditës, dronë iranianë goditën edhe rafinerinë e naftës Mina al-Ahmadi në Kuvajt, duke shkaktuar zjarre në objekt. Ndërkohë, në Bahrein u aktivizuan sirenat e emergjencës dhe qytetarëve iu kërkua të strehohen në vende të sigurta.
Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi sulmin si “të pamatur” gjatë një bisede telefonike me Princin e Kurorës së Kuvajtit.
Ai konfirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kuvajtin dhe aleatët në Gjirin Persik, duke diskutuar edhe vendosjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore për të garantuar sigurinë në rajon.
Dy liderët trajtuan gjithashtu situatën e tensionuar në Ngushticën e Hormuzit dhe ranë dakord të bashkëpunojnë për rikthimin e sigurisë në transportin detar ndërkombëtar.



