Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel ka dalë me një deklaratë zyrtare, duke sqaruar se Çmimi Nobel për Paqen nuk mund të revokohet, të ndahet apo të transferohet.
Ky reagim vjen pas debateve të shumta publike lidhur me fituesit e çmimit, të cilat kanë shtyrë institucionin të ritheksojë rregulloren e tij. Sipas Komitetit Nobel, çmimi, një herë i dhënë, është përfundimtar dhe nuk mund të ndryshohet në asnjë rrethanë.
Asnjë nga komitetet e dhënies së çmimeve në Stokholm dhe Oslo nuk e ka marrë ndonjëherë në konsideratë revokimin e një çmimi pasi është dhënë.
Si parim, Komiteti Norvegjez i Nobelit nuk komenton mbi deklaratat apo veprimet e laureatëve të Çmimit të Paqes pas dhënies së çmimit.
Mandati i Komitetit kufizohet në vlerësimin e punës dhe përpjekjeve të kandidatëve të nominuar deri në momentin e marrjes së vendimit për dhënien e Çmimit Nobel për Paqen për një vit të caktuar.
Gazetarja dhe shkrimtarja Anne Applebaum, staf shkrues në revistën “The Atlantic”, ka reaguar në rrjetet sociale, duke e cilësuar situatën si absurde. “Është e vështirë të kuptohet se sa e pakuptimtë është bërë kjo situatë”, shkruan ajo, duke iu referuar nevojës së Komitetit për të sqaruar një rregull kaq bazik.
Deklarata e Komitetit Nobel ka rikthyer në vëmendje diskutimet mbi mënyrën e dhënies së çmimeve dhe përgjegjësinë morale që shoqëron fituesit e tyre.



