Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen 2023, aktivistja iraniane e të drejtave të njeriut Narges Mohammadi, është dënuar me shtatë vjet e gjysmë burg nga një gjykatë iraniane, bëri të ditur avokati i saj, Mostafa Nili, njofton BBC.
Sipas tij, Mohammadi është dënuar me gjashtë vjet burg për “mbledhje dhe bashkëpunim për të kryer vepra penale” dhe me një vit e gjysmë shtesë për “aktivitete propagandistike kundër sistemit”, pas një procesi gjyqësor të zhvilluar në qytetin verilindor të Mashhadit.
Përveç dënimit me burg, gjykata i ka vendosur asaj edhe ndalim dyvjeçar për t’u larguar nga Irani si dhe dy vjet mërgim të detyruar në rajonin lindor Khusf, pasi të përfundojë vuajtjen e dënimit.
53-vjeçarja u arrestua në dhjetor, pasi mori pjesë në një ceremoni përkujtimore për avokatin Khosrow Alikordi, i cili ishte gjetur i vdekur në zyrën e tij.
Autoritetet iraniane e akuzuan Mohammadi-n për “vërejtje provokuese” dhe “nxitje të turmës”. Familja e saj ka deklaruar se ajo u dërgua në spital pas arrestimit, pasi u dhunua fizikisht.
Fondacioni Narges, që e mbështet aktivisten, e ka cilësuar seancën gjyqësore si një “mashtrim”, duke bërë të ditur se Mohammadi ka nisur grevë urie më 2 shkurt për të protestuar kundër kushteve të paraburgimit dhe dënimit të saj.
Burri i saj, Taghi Rahmani, tha se Mohammadi refuzoi të mbrohej në gjykatë, pasi sipas saj “ky sistem gjyqësor nuk ka legjitimitet” dhe se ajo nuk pranoi të nënshkruante asnjë dokument.
Mohammadi ka kaluar tashmë më shumë se 10 vite në burg, ndërsa sipas Fondacionit Narges, dënimi i fundit e çon totalin e viteve të dënimit të saj në 44 vjet.
Ajo po vuan aktualisht edhe një dënim tjetër prej 13 vitesh për akuza që lidhen me “propagandë kundër shtetit” dhe “kërcënim të sigurisë kombëtare”, të cilat i ka mohuar vazhdimisht.
Në vitin 2023, Narges Mohammadi u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për angazhimin e saj kundër shtypjes së grave në Iran, dënimit me vdekje dhe për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, ka qenë prej vitesh një kritike e regjimit iranian dhe është burgosur më herët disa herë për aktivitetet e saj pro‑demokracisë.



