Njeriu më i pasur në Francë, manjati i mallrave luksoze Bernard Arnault, e kritikoi ashpër planin për taksën mbi pasurinë. Arnault sulmoi ekonomistin francez, Gabriel Zucman, duke e cilësuar si një "aktivist të ekstremit të majtë" që do të "shkatërrojë ekonominë franceze".
Ndërsa Franca është nën presion për borxhin e saj në rritje dhe deficitin buxhetor, Zucman ka sugjeruar që ultra të pasurit të paguajnë të paktën një taksë prej dy për qind mbi pasurinë e tyre.
Ideja është pranuar me entuziazëm nga e majta, përfshirë Partinë Socialiste, mbështetja e së cilës kryeministrit të ri Sébastien Lecornu mund t'i duhet për të siguruar mbijetesën e qeverisë së tij.
Por kjo ide është denoncuar nga e djathta, e cila ka frikë se një skemë e tillë mund t'i detyrojë të pasurit të largohen nga Franca.
"Ky nuk është qartë një debat teknik apo ekonomik, por më tepër një dëshirë e deklaruar qartë për të shkatërruar ekonominë franceze", tha Arnault në një deklaratë për UK Sunday Times.
Arnault, pasuria familjare e të cilit aktualisht vlerësohet në 157 miliardë dollarë nga Forbes, e përshkroi Zucman si "para së gjithash një aktivist të ekstremit të majtë... i cili vë në shërbim të ideologjisë së tij (e cila synon të shkatërrojë ekonominë liberale, të vetmen që punon për të mirën e të gjithëve) një kompetencë pseudo-akademike që vetë debatohet gjerësisht".
Arnault ka në pronësi konglomeratin LVMH, i cili përfshin marka të luksit si Louis Vuitton, Dior dhe Moet Hennessy. Prej kohësh, në daljet e tij ai e ka vënë theksin te taksat që ai paguan personalisht dhe që kompanitë e tij i paguajnë shtetit francez.
Sipas Zucman, taksa mund të çojë në arkën e shtetit rreth 20 miliardë euro (27 miliardë dollarë).
"U habita shumë nga natyra karikaturale e sulmeve tuaja. Vërejtjet tuaja që më shënjestrojnë mua bien jashtë sferës së racionales dhe janë pa bazë", u kundërpërgjigj Zucman, duke shtuar se ai nuk kishte qenë kurrë aktivist në ndonjë lëvizje dhe as anëtar i ndonjë partie.
Zucman ka mbajtur poste akademike në Londër, Shtetet e Bashkuara dhe Paris.
Thomas Piketty, ekonomisti më i njohur francez, i cilësuar edhe si mentori i Zucman, e mbrojti ish-studentin e tij, duke akuzuar Arnault se "thotë budallallëqe" dhe duke hedhur poshtë sugjerimin se taksa do ta "gjunjëzonte ekonominë franceze".



