Me rritjen e temperaturave gjatë verës dhe mbi 100 mijë vizita vjetore në urgjencë në SHBA të lidhura me nxehtësinë ekstreme, ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë për rreziqet serioze që sjell goditja nga nxehtësia, një gjendje që mund të bëhet fatale nëse nuk trajtohet menjëherë.
Sipas mjekëve të urgjencës, goditja nga nxehtësia ndodh kur trupi humb aftësinë për të rregulluar temperaturën e brendshme, e cila mund të rritet me shpejtësi deri në rreth 41°C ose më shumë.
Kjo gjendje mund të shkaktojë konfuzion, marramendje, të folur të paqartë, humbje vetëdijeje, kriza dhe çrregullime të rrahjeve të zemrës.
Ekspertët theksojnë se në rast dyshimi për goditje nga nxehtësia, personi duhet të dërgohet menjëherë në spital ose të thirret urgjenca.
Deri në mbërritjen e ndihmës, rekomandohet që personi të zhvendoset në një vend të freskët, t’i ulet temperatura me lecka të lagura ose akull në zona si qafa dhe sqetullat, si dhe të monitorohet vazhdimisht.
Përveç goditjes nga nxehtësia, nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë edhe lodhje nga nxehtësia dhe ngërçe muskulore, si dhe të përkeqësojë sëmundje kronike si problemet kardiovaskulare, diabeti dhe çrregullime të tjera shëndetësore.
Më të rrezikuarit janë fëmijët e vegjël, të moshuarit, personat me sëmundje kronike, punëtorët që ekspozohen gjatë ditës në ambiente të hapura, si dhe ata pa strehim apo pa akses në ambiente të freskëta.
Autoritetet shëndetësore këshillojnë shmangien e aktiviteteve fizike në orët më të nxehta, hidratim të vazhdueshëm, qëndrim në hije ose ambiente me ajër të kondicionuar, si dhe kujdes të veçantë për grupet e cenueshme gjatë valëve të të nxehtit.



