Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi në një intervistë për Guardian në Londër se situata ushtarake është më premtuese për Ukrainën sesa në dy vitet e fundit, duke vlerësuar se Rusia po humbet gradualisht iniciativën në luftë.
Sipas tij, sulmet ukrainase me dronë ndaj objektivave strategjike në territorin rus dhe në Krimenë e pushtuar kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në logjistikën dhe furnizimet e Moskës. Ai pretendon se Rusia po humbet mbi 30 mijë ushtarë në muaj, ndërsa përparimi i forcave ruse në lindje është ngadalësuar ndjeshëm.
Megjithatë, Zelensky paralajmëroi se Rusia vazhdon sulmet intensive ndaj qyteteve ukrainase, duke përdorur raketa dhe dronë kundër zonave civile. Ai përsëriti thirrjen drejtuar aleatëve perëndimorë për më shumë sisteme mbrojtëse ajrore, veçanërisht raketat Patriot, të cilat i konsideron jetike për mbrojtjen e popullsisë.
Presidenti ukrainas tha se Vladimir Putin refuzoi propozimin e tij për një takim të drejtpërdrejtë për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa akuzoi Kremlinin për vazhdimin e kërkesave territoriale ndaj Ukrainës.
Në planin diplomatik, Zelensky vlerësoi mbështetjen e partnerëve evropianë dhe theksoi se Rusia po përballet me izolim gjithnjë e më të madh ndërkombëtar. Ai shtoi se Ukraina është shndërruar në një nga liderët botërorë në teknologjinë e dronëve dhe është e gatshme të ndajë përvojën e saj me vendet evropiane dhe NATO-n.
Duke folur për të ardhmen e luftës, Zelensky u shpreh optimist se presioni ushtarak, ekonomik dhe diplomatik ndaj Moskës do të vazhdojë të rritet, ndërsa theksoi se Ukraina nuk do të heqë dorë nga territoret e saj të pushtuara.



