Të paktën 780 persona janë arrestuar në Francë pas trazirave që shpërthyen gjatë festimeve për fitoren e Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve, njofton BBC.
Sipas ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nuñez, një total prej 219 personash kanë mbetur të plagosur në përleshjet mes tifozëve dhe forcave të policisë në disa qytete të vendit.
Tetë prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa 57 efektivë policie kanë pësuar lëndime gjatë ndërhyrjeve për rivendosjen e rendit.
Autoritetet bëjnë me dije se mbi 450 persona ndodhen në paraburgim, ndërsa shumica e arrestimeve janë kryer në Paris, ku festimet u shoqëruan me incidente të shumta.
Një person humbi jetën në një aksident në rrugën unazore të Parisit, të cilën disa protestues tentuan ta bllokonin gjatë natës.
Për të garantuar sigurinë gjatë paradës së fitores së PSG-së, autoritetet franceze mobilizuan rreth 6 mijë efektivë policie.
Pavarësisht incidenteve të natës së kaluar, atmosfera gjatë paradës së së dielës pranë Kullës Eiffel ishte kryesisht festive dhe paqësore, me mijëra tifozë që dolën në rrugë për të përshëndetur ekipin kampion.
Festimet përfshijnë një vizitë të skuadrës në zonën Champ-de-Mars pranë Kullës Eiffel, si dhe një pritje zyrtare nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Ministri i Brendshëm deklaroi se forcat e sigurisë do të vijojnë të tregojnë vendosmëri ndaj çdo akti dhune.
“Ne jemi një vend që garanton lirinë e tubimit, por nuk do të tolerojmë teprimet dhe shkeljet e rendit publik”, u shpreh ai.
Pamjet e publikuara nga mediat franceze treguan fishekzjarrë, automjete dhe biçikleta të djegura, si dhe dëmtime të disa bizneseve në qendër të Parisit. Për shpërndarjen e turmave, policia përdori gaz lotsjellës në disa zona të kryeqytetit.
Sipas prokurorisë së Parisit, akuzat ndaj të arrestuarve variojnë nga sulmet ndaj efektivëve të policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private, deri te vjedhja dhe mbajtja e paligjshme e armëve.



