Negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë përfunduar në mënyrë konstruktive në Zvicër, ndërsa bisedimet teknike pritet të vazhdojnë gjatë kësaj jave, njoftuan ndërmjetësit pakistanezë dhe katarianë. Takimet u zhvilluan në një klimë të tensionuar, pasi deklaratat e Presidentit amerikan Donald Trump kërcënuan të pengonin ecurinë e dialogut.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se si rezultat i negociatave janë hequr sanksionet ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe janë liruar disa prej aseteve të ngrira të vendit jashtë shtetit. Ai shtoi se Teherani ka nisur një plan të gjerë rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik.
Sipas një deklarate të përbashkët të ndërmjetësve, SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord të krijojnë një Komitet të Nivelit të Lartë, i cili do të sigurojë mbikëqyrjen politike të procesit të ndërmjetësimit.
Nën drejtimin e këtij komiteti do të funksionojnë grupe pune të fokusuar në çështjet bërthamore, sanksionet dhe mekanizmat e zbatimit të marrëveshjes.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se është arritur “progres i mirë”, duke e cilësuar rezultatin si inkurajues pas një periudhe të gjatë pasigurie në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Megjithatë, negociatat u përballën me vështirësi pasi Donald Trump, në një intervistë për Fox News, kërcënoi me rifillimin e bombardimeve ndaj Iranit dhe me vendosjen e tarifave për kalimin në Ngushticën e Hormuzit në rast se nuk arrihet marrëveshje.
Sipas mediave iraniane, këto deklarata çuan përkohësisht në refuzimin e Teheranit për të vazhduar bisedimet dhe ndikuan në rritjen e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Pavarësisht tensioneve, palët kanë rënë dakord të krijojnë një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi për menaxhimin e incidenteve në Ngushticën e Hormuzit, me synimin për të garantuar sigurinë e lundrimit tregtar gjatë periudhës 60-ditore të përcaktuar në marrëveshje.
Një tjetër çështje e rëndësishme mbetet konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban. Për këtë arsye, SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord të krijojnë një “qelizë dekonflikti”, të ndërmjetësuar nga Katari dhe Pakistani, me qëllim uljen e tensioneve dhe ndalimin e operacioneve ushtarake në territorin libanez.
Ministri iranian Abbas Araghchi theksoi se suksesi i kësaj nisme do të përbëjë “testin e parë të vërtetë” për efektivitetin e marrëveshjes së re mes Uashingtonit dhe Teheranit.



