Stuhi dëbore dhe ngrica kanë përfshirë vende të ndryshme evropiane, teksa kanë sjellë pezullime fluturimesh dhe bllokime autostradash. Më shumë se 800 fluturime u anuluan në aeroportin Schiphol të Amsterdamit dhe 140 të tjera në Paris. Shërbimet hekurudhore u ndërprenë dhe rrugët u bllokuan ndërsa stuhia Goretti pritet të vijojë ditët e ardhshme.
Reshje të dendura dëbore përfshinë Parisin, duke pezulluar shërbimet urbane nëpër shumë zona. Shërbimi meteorologjik francez tha se emergjencat civile janë në gatishmëri për reshje të dendura dëbore dhe ngrica. Autoriteti i aviacionit civil të Francës u kërkoi linjave ajrore të shkurtojnë 40% të fluturimeve në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Parisit, Charles de Gaulle, dhe 25% të fluturimeve nga aeroporti më i vogël Orly.
Në Bruksel, disa fluturime u anuluan. Autoritetet në Holandë u thanë njerëzve të planifikojnë të punojnë nga shtëpia nëse është e mundur. Në Gjermani, temperaturat ranë shumë nën minus 10 gradë Celsius në jug dhe lindje. Pjesa më e madhe e vendit është e mbuluar me borë. Në Britani, temperaturat ranë deri në -12.5 gradë Celsius në Marham, Norfolk dhe në Anglinë lindore.



