Ministri i Jashtëm Izraelit, Gideon Saar, tha se Izraeli nuk po kërkon një “luftë të pafund” me Iranin, duke sinjalizuar se vendi nuk dëshiron një konflikt të zgjatur pavarësisht tensioneve të vazhdueshme.
Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, ka kapluar Lindjen e Mesme, pasi sulmet iraniane kanë goditur shtete fqinje, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë që Izraeli po lufton gjithashtu kundër Hezbollahut në Liban.
“Ne do të vazhdojmë deri në çastin kur ne dhe partnerët tanë të mendojmë se është e përshtatshme të ndalemi”, u tha Saar gazetarëve në Jerusalem së bashku me homologun e tij gjerman. “Nuk po kërkojmë luftë të pafundme”, tha ai.
Ai e përshkroi udhëheqësin e ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamanei, djalin e ajatollah Ali Khameneit, i cili u vra nga ushtria izraelite në ditën e parë të luftës - si një ekstremist.
Izraeli ka thënë se synon ta eliminojë sundimin klerikal të Iranit duke shkatërruar programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike dhe duke krijuar kushte që iranianët t’i rrëzojnë sunduesit e tyre.
Saar tha se ekziston një mundësi për të krijuar kushte që iranianët të “rifitojnë lirinë e tyre”, duke pranuar se kjo mund të mos ndodhë gjatë luftës, por më pas. “Nuk duhet ta humbasim këtë mundësi me rezultate të pjesshme”, shtoi ai.



