
Nëntëdhjetë deputetë të Partisë Republikane Popullore (CHP), forca më e madhe opozitare në Turqi, kanë dhënë dorëheqjen nga partia, një zhvillim që pritet të ndryshojë ndjeshëm balancat politike në vend.
Largimet vijnë vetëm pak ditë pasi ish-kryetari i CHP-së, Ozgur Ozel, njoftoi krijimin e një force të re politike.
Me pjesëmarrjen e 91 deputetëve që u larguan nga Partia Republikane Popullore (CHP), Ozgur Ozel njoftoi themelimin e Partisë së Re në Turqi dhe zgjodhi kryetarin e saj të parë të përgjithshëm.
Njëkohësisht u formuan organet qendrore të formacionit të ri politik dhe u përcaktua udhëheqja e tij parlamentare.
Gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar javën e kaluar, Ozel deklaroi se synimi i partisë së tij është të shndërrohet në opozitën kryesore në Parlament, duke e cilësuar këtë si një kapitull të ri në historinë e politikës turke dhe një ndarje të rëndësishme brenda CHP-së, partisë së themeluar gati një shekull më parë nga Mustafa Kemal Ataturk.
“Sot po përjetojmë një ndarje të dhimbshme, por të pashmangshme. Megjithatë, dua të ndaj me qytetarët shpresën për një fillim të ri”, u shpreh Ozel gjatë fjalës së tij.
Ozel u largua nga drejtimi i CHP-së në maj të këtij viti, pasi një gjykatë vendosi rikthimin në krye të partisë të paraardhësit të tij, Kemal Kiliçdaroglu. Vendimi u bazua në pretendime për parregullsi gjatë votimit të brendshëm në kongresin e vitit 2023.
Ky zhvillim thelloi përçarjet brenda opozitës, ndërsa krahu reformist i CHP-së vijon të mbështesë Ozelin. Si pasojë e largimit të 90 deputetëve, Parlamenti turk pritet t’i nënshtrohet një riorganizimi të konsiderueshëm.
Ndërkohë, Ozel ka firmosur dokumentacionin themelues të subjektit të ri politik, duke nisur zyrtarisht procedurat ligjore për regjistrimin e tij. Emri i partisë dhe përbërja e drejtuesve do të bëhen publike pasi të përfundojë procesi i regjistrimit.



