Mijëra australianë iu bashkuan tubimeve “ Marshimi për Australinë” kundër imigracionit në të gjithë vendin këtë të diel, të cilat qeveria e qendrës së majtë i dënoi, duke thënë se ato kërkonin të përhapnin urrejtje dhe ishin të lidhura me neonazistët.
Mediat shkruajnë se në Sidnei dolën të paktën 5,000 deri në 8,000 njerëz, shumë prej të cilëve të mbështjellë me flamuj australianë. Janë shënuar edhe përplasje për shkak se paralelisht u zhvillua edhe një kundër-tubim nga Koalicioni i Veprimit për Refugjatët. Kundër protestuesit dolën për të dënuar tubimet, duke mbajtur pankarta pro-migracionit dhe duke e etiketuar lëvizjen si raciste.
Organizatorët e protestave masive thanë për mediat se tubimet synonin të bënin "atë që politikanët kryesorë nuk kanë kurrë guximin ta bëjnë: të kërkonin fundin e imigracionit masiv".
Një kundërprotestë u mbajt gjithashtu në një pjesë të veçantë të qytetit, së bashku me një protestë javore pro-palestineze.
Grupi thotë gjithashtu se është i shqetësuar për kulturën, pagat, trafikun, strehimin dhe furnizimin me ujë, shkatërrimin e mjedisit, infrastrukturën, spitalet, krimin dhe humbjen e komunitetit.
Por këto protesta u kundërshtuan nga qeveria e cila tha se ato janë të organizuara dhe promovuara nga grupe neonaziste.
"Ne e dënojmë absolutisht tubimin "Marshimi për Australinë" që po zhvillohet. Nuk ka të bëjë me rritjen e harmonisë sociale. Ne nuk i mbështesim tubimet si këto që kanë të bëjnë me përhapjen e urrejtjes dhe që kanë të bëjnë me përçarjen e komunitetit tone. Ato janë organizuar dhe promovuar nga grupet neonaziste”, tha ministri. Murray Watt.
Në rrugë pati edhe përplasje mes protestuesve dhe kundërprotestuesve. Ndërkohë policia tha se qindra oficerë u vendosën në të gjithë Sidnein në një operacion që përfundoi "pa incidente të rëndësishme".



