Seriali televiziv “Harry Potter” është rinovuar zyrtarisht për një sezon të dytë nga HBO, ndërsa xhirimet pritet të nisin në vjeshtën e këtij viti. Edhe pse rrjeti televiziv nuk ka zbuluar ende titullin zyrtar të sezonit të ri, besohet se ai do të bazohet në librin e dytë të sagës së J.K. Rowling, “Harry Potter and the Chamber of Secrets”.
Sezoni i parë, “Harry Potter dhe Guri Filozofal”, do të ketë premierën gjatë periudhës së Krishtlindjeve në HBO Max. Projekti është pjesë e planit afatgjatë të HBO-së për të adaptuar të shtatë librat e sagës përgjatë një dekade, me secilin sezon që do të përqendrohet në një libër të veçantë.
Një nga zhvillimet kryesore në prapaskenë është promovimi i skenaristit Jon Brown në rolin e bashkë-drejtuesit të serialit, përkrah Francesca Gardiner, e cila drejtoi sezonin e parë. Brown njihet për punën e tij në serialin e vlerësuar “Succession”.
Gardiner deklaroi se rikthimi në xhirimet e sezonit të dytë këtë vjeshtë është pjesë e strategjisë për të mbajtur ritmin e prodhimit, ndërsa vlerësoi Brown si “thelbësor për ruajtjen e vrullit krijues të serialit”.
Në rolet kryesore do të rikthehen Dominic McLaughlin si Harry Potter, Arabella Stanton si Hermione Granger dhe Alastair Stout si Ron Weasley. Të tre aktorët e rinj u zgjodhën mes më shumë se 30 mijë fëmijëve që morën pjesë në audicionet e hapura për serialin.
Ndërkohë, ende nuk është konfirmuar aktori që do të interpretojë Lord Voldemort. Emra si Cillian Murphy dhe Andy Serkis janë përfolur për rolin, ndërsa Ralph Fiennes – i cili e interpretoi personazhin në filmat origjinalë – ka sugjeruar se Tilda Swinton do të ishte “fantastike” në këtë rol.
“Dhoma e të Fshehtave” do ta çojë Harrin dhe miqtë e tij më thellë në misteret e errëta të Hoguortsit, duke i përballur me rreziqe të reja dhe sekrete të lashta.



