Dy kompani të mëdha ndërkombëtare, Pepsi dhe Diageo, kanë vendosur të tërheqin sponsorizimin e tyre nga Wireless Festival 2026 në Mbretërinë e Bashkuar, pas njoftimit se reperi Kanye West (i njohur si Ye) do të jetë kryesues i eventit.
Festivali, i cili zhvillohet çdo vit në Finsbury Park në Londër nga 10 deri më 12 korrik, është një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në vend, duke tërhequr rreth 150 mijë pjesëmarrës.
Në një deklaratë për CNN, një zëdhënës i Pepsi konfirmoi se kompania ka vendosur të tërhiqet nga sponsorizimi i festivalit, ndërsa edhe Diageo që zotëron marka si Guinness, Smirnoff dhe Johnnie Walker ka ndjekur të njëjtin hap.
Vendimi vjen pas reagimeve të forta ndaj përfshirjes së West, i cili në vitet e fundit është kritikuar për deklarata të përsëritura antisemitike dhe përmbajtje ofenduese. Edhe pse artisti ka kërkuar falje publikisht më herët, polemikat rreth tij vazhdojnë.
Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi vendimin për ta përfshirë West në festival si “thellësisht shqetësues”, duke theksuar se komentet e tij të mëparshme nuk duhen injoruar.
Ndërkohë, organizata Campaign Against Antisemitism ka kërkuar që artistit t’i ndalohet hyrja në Mbretërinë e Bashkuar, duke argumentuar se prania e tij nuk është në interes të publikut.
Kjo situatë vjen në një kohë kur shqetësimet për rritjen e antisemitizmit në Britani janë shtuar, ndërsa rasti i Wireless 2026 ka hapur një debat të gjerë mbi përgjegjësinë e organizatorëve dhe sponsorëve në industrinë e muzikës.



